Nga Ksamili te "Syri i Kaltër" - Vizion Plus - News - Lajme

2015-11-22 5

Qyteza e Ksamilit, vetëm 7 km larg Sarandës, mbetet një ndër zonat më të bukura të Shqipërisë, krijuar nga dora e njeriut rreth 45 vjet më parë. Ndodhur në një gji të mahnitshëm, të quajtur "Gjiri i Tetransive", vendi është gjelbëruar me gjerdane ullinjsh, portokallesh, dhe pemësh mesdhetare. Regjimi komunist ndoqi modelin e fqinjit përballë, Korfuzit, për te ngritur këtu bujqësi te zhvilluar me agrume, por edhe turizëm bregdetar. Ne Ksamil, ndodhen 4 ishuj, më i madh 5 hektarë dhe gjendet 60 metra larg bregut, ndërsa më i largëti me pak se gjysme milje larg. Në stinën e verës mijëra pushues udhëtojnë me varka drejt tyre, për te shijuar oazet e qetësisë. Pas viteve '90 qyteza u deformua, si pasojë e lëvizjes kaotike demografike dhe numri i banorëve u dhjetëfishua duke krijuar probleme në planin e zhvillimit të turizmit elitar. Por këtë vere rrugët janë asfaltuar tërësisht, duke përmirësuar kushtet e pritjes. Infrastruktura hoteliere ne Ksamil është ende në hapat e para, ndërsa turizmi familjar ka marrë hov, megjithëse ende te pakonsoliduar. Krahasuar me destinacionet e tjera turistike Joniane, këtu akomodimi kushton me lire. Një dhome e gjen për 2500 deri ne 4 mije leke ne dite. Por veç ishujve, përgjatë gjithë vijës bregdetare, gjen plazhe ditore, qe frekuentohen tepër. Për turistet kurioz qe nuk duan vetëm plazhin, disa prej ditëve mund ti kalojnë duke vizituar Butrintin, Kalanë e Lekursit, Sarandën, rrënojat e Finiqit, e rrugës për ne Gjirokastër mund te ndalen ne Monumentin natyror te Syrit te Kaltër. Ai cilësohet si 1 nga 10 thesaret e fshehura. Ky vend mbetet mistik: forma e syrit, ujë i kaltër e i ftohtë dhe një panoramë për t'u admiruar. Legjenda të shumta pagane e veshin me mister burimin, duke na lënë të kuptojmë se banorët e lashtë e kanë adhuruar po aq sa edhe ne këtë mrekulli të natyrës. Syri i Kaltër është pjese e çdo guide, për turiste vendas e te huaj. Ne 2 lokalet e ndërtuara pranë tij, gjen ushqim te freskët dhe natyral. Nga thellësia e burimit, uji merr ngjyrën e kaltër nën rrezet e diellit. Ai është më i madh dhe më interesanti nder 18 burimet qe shpërthejnë rrëzë malit të gjerë. Thellësia mendohet se arrin deri në 52 metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë, ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltër e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët. Syri i Kaltër me gjithçka përreth duket një tempull natyror që i kushtohet misterit të jetës, luftës së njeriut për të mposhtur natyrën dhe njëherësh pandashmërinë e tyre. Një tempull ku në vend të kolonave prej guri, rreth altarit, ngrihen rrepet e lartë qindravjeçare që e marrin fuqinë pikërisht nga uji i kristalte.