Bashkëpunimi i ngushtë ekonomik me Izraelin ka qenë sërish në fokus të takimeve të kryeministrit Berisha në Jeruzalem. Duke folur para Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Berisha tha se qeveria e tij ka si qëllim që ta kthejë Shqipërinë në një vend shumë miqësor për investitorët e huaj. Sipas kryeministrit, Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme dhe mund të bëhet një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon. Ai ftoi kompanitë izraelite që të investojnë në ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri, pasi siç tha ai, ne jemi vendi me barrën më të ulët fiskale në Europë. Në takimin me këtë organizatë ku bëjnë pjesë ish-diplomatë izraelitë, Berisha foli edhe për marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, që sipas tij anë shumë gjëra të përbashkëta. Berisha hoqi paralele mes holokaustit dhe regjimit komunist në Shqipëri, duke theksuar se popujt tanë, si dy më të vjetrit në historinë e njerëzimit, kanë ditur t'u bëjnë ballë padrejtësive të shumta ndër shekuj. Berisha tha se Shqipëria beson se zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë arritur në një fazë të re, që është shumë pozitive që Izraeli ka pranuar dhe po mbështet zgjidhjen për dy shtete. "Kështu, ne mbështesim zgjidhjen për dy shtete", tha ai. Ndërkohë që kreu i ekzekutivit shqiptar, denoncoi programet bërthamore të Iranit, duke i cilësuar si kërcënim për paqen në botë.