TIRANË - Një përleshje masive me thikë dhe armë para komisariatit të Kurbinit përfundoi me 7 të plagosur për shkak të konfliktit mes dy familjeve për të drejtën e peshkimit në Lagunën e Patokut. Por cila është zanafilla e konfliktit mes familjes Cali dhe familjarëve të deputetit socialist Armando Prenga?
Në prill të këtij viti, peshkatarët e familjes Cali në Lagunën e Patokut denoncuan padrejtësinë që sipas tyre u është bërë duke i dhënë licencën për shfrytëzim Eduart Prengës (njohur edhe me emrin Valentin), vëllait të deputetit të Partisë Socialiste. Prej dekadash kjo familje ka ushtruar këtë aktivitet, por me një tender të vitit 2015 kjo e drejtë ju dha familjes Prenga dhe kontrata e tyre nuk u rinovua më nga Ministria e Bujqësisë.
Zëri i peshkatarëve u mbështet nga PD e cila pak kohë më pas denoncoi se qeveria dha tenderin në mënyrë kilienteliste.