TIRANE - Opozita ka kundërshtuar fort sot projektligjin që lidhet me auditimin e brendshëm gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë.
Deputeti i Partisë Demokratike Sherefedin Shehu u shpreh se projektligji vjen në përkeqësim të ligjit aktual dhe synon dobësimin e auditit të brendshëm si strukturë. Ai akuzoi qeverinë se ky ndryshim bëhet për qëllime të tjera që nuk lidhen aspak me përmirësimin e kontrollit të shpenzimeve.
Ish¬-ministri i Financave dhe njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike Ridvan Bode u shpreh se këto ndryshime nuk janë aspak pozitive dhe ajo që po vihet re është rritja e agresivitetit të administratës.
Pavarësisht kundërshtimeve të forta të opozitës deputeti tjetër i Partisë Socialiste Anastas Angjeli u shpreh se ligji për auditin e brendshëm bëhet për ta harmonizuar atë me gjithë ndryshimet e tjera të bëra më herët duke e lidhur këtë me miratimin e ligjit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në fund projektligji u miratua në parim vetëm me votat e mazhorancës ndërsa opozita votoi kundër.