Moti i keq me shi të dendur dhe stuhi të forta ere ka shkaktuar përmbytje kryesisht në jug. Situata më problematike paraqitet në qytetin e Vlorës. Disa nga lagjet dhe rrugët kryesore të qytetit janë mbuluar totalisht nga uji. Shumë banesa dhe biznese janë përmbytur, ndërkohë që nga moti i keq është shkëputur energjia elektrike në qytet dhe shumë fshatra përreth.
Si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm është bllokuar nga rrëshqitja e dherave aksi Radhimë-Orikum. Masive të mëdha guri kanë rënë mbi rrugë, duke shkaktuar bllokimin e saj.
Po ashtu situata e rëndë ka prekur edhe qytetin e Fierit, ku lumi Gjanica ka dalë nga shtrati, duke përmbytur banesa, lokale, dyqane të ndërtuara afër tij. Ndërkohë në disa lagje është ndërpreë energjia elektrike.
Rreshjet e rëna kanë shkaktuar problem edhe në Skrapar, ku Ura e Kashabashit rrezikon të shëmbet, pasi njëra këmbë e saj është shkatërruar plotësisht. Përmbytje ka edhe në qendër të Skraparit, ndërsa ka patur rrëshqitje dherash në aksin Corovodë-Potom.
Shirat e rrëmbyeshëm të rëna gjatë mbrëmjes dhe mëngjesit të sotëm, kanë sjellë jo pak probleme dhe në Rrugën e Kombit. Në disa segmente të aksit Kalimash-Kukës-Morinë, ka pasur rënie gurësh dhe dherash por pa krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve . Sipas specilaistëve , drejtuesit e mjeteve duhet të kenë kujdes në disa prej segmenteve ku ka rënie gurësh.