TIRANE - Pas ngjarjeve kriminale që ndodhin në vend, Partia Demokratike sheh ministrin e Brendshëm Saimir Tahirit, të cilit edhe këtë të shtunë i kërkoi të dorëhiqet nga ky post. Në një deklaratë nga selia blu, deputeti Asllan Dogjani solli në vëmendje grabitjen me maska të një makine në autostradën Tiranë-Durrës mbrëmjen e së premtes, për të ngritur pyetjen: Çfarë duhet të ndodhë tjetër që Saimir Tahiri të largohet nga detyra e tij?
"Ai duhet të lërë zyrën një orë e më parë, inkrimnimi që po i bën policisë së shtetit është shërbim ndaj krimit e trafikut të drogës, është demotivim i forcave të policisë të cilët sakrifikojnë me punën e tyre me përkushtim e ndershmëri ndërsa shohin se eprori i tyre, ministri i tyre është i lidhur me bandat. Kjo gjendje duhet të marrë fund, dhe hapi i parë është largimi i Saimir Tahirit dhe hetimi i tij i plotë për lidhjet me bandat e me krimin", - tha Dogjani.