FIER ? Grindja mes një çifti të moshuarish në Fier, ka përfunduar në një krim makabër brenda familjes. Arqile File 65 vjeç pas debateve të ashpra, ka goditur me mjetin prerës kosore, gruan e tij, Antigoni File, 60 vjeç duke e lënë të vdekur në vend.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se krimi në familje ka ndodhur gjatë ditës së enjte, në lagjen 15 tetori në Fier, por ajo u zbulua sot nga vajza e familjes File.
65-vjeçari ka mbajtur për më shumë se 24 orë kufomën e bashkëshortes së tij në banesë. Vajza e tyre, e cila jeton në Tiranë ka shkuar për vizitë tek prindërit, por babai nuk i ka hapur derën e shtëpisë. Kjo ka detyruar të renë që të lajmërojë policinë e Fierit. Rreth orës 18:00 të së premtes, efektivët kanë ndërhyrë dhe gjetur të pajetë 60-vjeçaren Antigoni File, e cila dyshohet se ajo ka humbur jetën prej mbrëmjes së djeshme.
Autori është arrestuar nga policia e fierit, ndërsa sipas burimeve mësohet se i moshuari ishte konsumues i rregullt i alkoolit si dhe prej kohësh vuante nga depresioni.
Çifti File ka dy fëmijë, ndërsa viktima Antigone File ishte një shitëse ambulante dhe e vetmja që siguronte të ardhura në familje. Prokuroria e Fierit ka marrë të gjitha provat dhe materialet dhe po procedon me veprimet e mëtejshme.