Shqipëri-Serbi, policia masa të ngjashme me vizitën e Vuçiç

2015-10-07 6

Përgatitjet për ndeshjen Shqipëri- Serbi, e vlefshme për eleminatoret e Kampionatit Europian të Futbollit, Francë 2016, pritet të shoqërohen me masa të forta sigurie. Ato do të shtrihen jo vetëm gjatë ndeshjes në stadiumin e Elbasanit, por që nga momenti i mbërritjes së delegacionit serb në Rinas, transporti drejt Tiranës, në hotel dhe gjatë lëvizjes drejt Elbasanit. Masat e Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës pritet të jenë te ngjashme me ato që u morën në rastin e vizites së kryeministrit Vuçiç në Tiranë në pranverë të këtij viti.

Që nga mbërritja në aeroportin e Rinasit, efektivët e forcave speciale të RENEA-s, do të marrin nën ruajtje skuadrën dhe delegacionin serb. Forcat RENEA dhe mjetet e policisë rrugore të Drejtorisë së Policisë së Tiranës do të shoqërojnë autobusin me të cilin pritet të lëvizë ekipi, ndërsa efektivë të Gardës së Republikës do të vendosen në pika kyçe dhe vëzhgimi me qëllim shmangien e çdo incidenti.

Disa prej akseve rrugore në kryeqytet do të bllokohen gjatë lëvizjes së ekipit serb drejt Hotel Sheraton, apo edhe në stadium. Ndërkaq mëngjesin e të enjtes, tuneli Tiranë-Elbasan do të mbyllet deri pas mbërritjes së skuadrës serbe në Tiranë. Zona pranë stadiumit, pritet të jetë tërësisht nën kontrollin e policisë ndërsa dy helikopterë ?Cugar? të Ushtrisë, do të monitorojnë gjithçka nga ajri.