PD: Ndërtuesi i vilës së Ramës fitoi tenderin e paracaktuar për OSHEE

2015-10-06 1

TIRANË - Lideri i opozitës Lulzim Basha ka bërë publik për herë të parë emrin e kompanisë që ndërtoi vilën e kryeministrit Edi Rama në Surrel, në periferi të Tiranës. Basha denoncoi se kompania EUROCOL e biznesmenit Carapuli është shpallur fituese e tenderit 5 milionë euro për rikonstruksionin e godinës së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kjo sipas kryedemokratit Basha është bërë me urdhër të kryeministrit, si një favor ndaj mikut të tij që i ndërtoi shtëpinë, edhe pse EUROCOLkishte ofertën më të lartë, me një diferencë prej 750 milionë lekësh më shumë nga kompanitë e tjera në garë.

?Sot është bërë e ditur se tenderi prej 5 milion dollarësh i OSHEE të kërbaçit mbi qytetarët, i padrejtësisë, i vetëflijimit të Qamil Zelës ia kanë dhënë, me një dorë ndërtuesit të Sarajeve të Edi Ramës, Eurocol. Kishte ofertën më të lartë, 750 milion lekë më shumë, por ishte oferta e mikut të Edi Ramës. Lekë gjaku, të marra me hir e me pahir nga xhepat tuaj janë dhënë për selinë e re të OSHEE. As për shkolla, as per rrugë, as për kompesim të përndjekurish. Sapo u kthye nga pushimet në New York e mbyllën pazarin, sepse për ta pazari dhe pushteti janë njësoj? deklaroi Lulzim Basha nga qyteti i Lushnjes ku nisi turin e takimeve me qytetarët.

Më tej ishte kreu i grupit parlamentar të PD Edi Paloka i cili përmes një deklarate zyrtare nga selia blu denoncoi tenderin sipas tij abuziv. Paloka tha se opozita e kishte paralajmëruar publikisht më 11 shtator të këtij viti se fituesi i këtij tenderi ishte paracaktuar dhe do të ishte pikërisht miku i kryeministrit.

?Askush nuk do të kishte guxim kaq të marrë për të dhënë një tender të tillë, pa urdhrin e Edi Ramës, urdhrin e atij që vendos në fakt për çdo tender në vend. Shqipëria nuk është në ditën kur respektohet procedura, ligji, kur kursehen paratë në tendera. Miku dhe interesi i Edi Ramës prevalon mbi të gjitha. Pazaret dhe aferat e Edi Ramës janë urdhri. Ky korrupsion, kjo babëzi, kjo zhvatje bëhet pikërisht me paratë që OSHEE, kjo bande kriminale, ua ka marrë shqiptarëve me kërbaç, duke i shtypur e poshtëruar, duke i dërguar në burg, e shpesh duke u marrë dhe jetën. Vetëm drejtësia që vjen nga bashkimi ynë për të ndalur këtë oligarki të korruptuar e kriminale, është rruga e daljes.?, tha Paloka.