TIRANË - Një javë më parë, kreu i komisionit të Sigurisë Spartak Braho sinjalizoi institucionet zyrtare për rrezikun e destabilitetit në vend, duke shigjetuar për këtë deputetin socialist Doshi dhe ish-ministrin e LSI, Dritan Prifti. Dy ditë pas takimit të drejtuesve të dy forcave politike bashkëqeverisëse, Braho qartëson se situata është e qetë.
....
Pas takimit të së shtunës kokë më kokë të kryeministrit Rama me aleatin e tij Ilir Meta, kreu i komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho, deklaron se destabiliteti politik po qetësohet.
Në lidhje me zhvillimin e hetimeve mbi akuzat e ngritura nga deputeti i LSI-së, kryeprokurori Llala deklaroi se do të përgjigjej në një moment tjetër.
Braho në letrën drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, ngrinte dyshimet mbi një skenar për destabilizimin e vendit me autor ish-ministrin e Energjisë Dritan Prifti dhe deputetin Tom Doshi. Sipas tij, në shënjestër ishte kreu i parlamentit Ilir Meta.
Prokuroria ka nisur një hetim mbi letrën e Brahos, në të cilën kanë dëshmuar bashkëshortja e Kastriot Ismailajt dhe Dritan Prifti. Vojsava Ismailaj ka mohuar të jetë kërcënuar nga Prifti e Doshi që bashkëshorti i saj të dëshmonte kundër Ilir Metës. Ndërkohë Prifti deklaroi se Meta është i përfshirë në aferën CEZ-DIA. Në lidhje me këtë skandal, kreu i LSI-së ka deklaruar se është i pafajshëm duke i cilësuar sulmet ndaj tij të tipit mafioz.