Pas akuzave të Partisë Demokratike mbi projektligjin e barnave që po diskutohet në komisionet parlamentare, ka reaguar në një dalje për mediat zv, ministrja e shëndetësisë Milva Ikonomi. Sipas saj, projektligji në fjalë nuk cënon sigurinë e barnave, por ndryshimet e propozuara ligjore bëhen për të vendosur zbatimin e plotë të detyrimeve që Shqipëria ka nga marrëveshje ndërkombëtare, dhe konkretisht, nga marrëveshja e CEFTA-s.
"Në bazë të marrëveshjes së CEFTA-s, vendet nënshkruese duhet të mënjanojnë çdo lloj barriere që pengon qarkullimin e mallrave në vendet përkatëse. Shpjegojmë për
opinionin publik se në Shqipëri kanë qarkulluar deri vjet rreth 300 barna me origjinë nga vendet e Ballkanit. Dhe kanë qarkulluar prej vitesh. Dispozita e propozuar përcakton se në Shqipëri lejohen të qarkullojnë barna me origjinë nga vendet e Ballkanit me kushtin që të jenë të REGJISTRUARA dhe të QARKULLOJNË në vendin e origjinës", shpjegon Ikonomi.
Sipas saj qeveria e ka mbajtur premtimin se çmimet e barnave në Shqipëri, nuk do të ishin më të larta se sa në vendin e tyre të prodhimit. ?Sot, çdo pacient që blen një bar në farmaci e kupton se çmimet janë më të lira, rreth 30% më pak se sa në kohën kur në pushtet ishte qeveria e Partisë Demokratike. Jo vetëm që ka perënduar koha kur barnat bliheshin shumë lirë jashtë dhe tregtoheshin shumëfish më shtrenjtë në vendin tonë, por, për të njëjtat barna dhe për të njëjtën sasi, të vendosura në treg në vitin 2013, sot kushtojnë 70 milion dollarë më pak. Qeverisja e PD-së, që nga viti 2010 ku rezulton se ka pasur dijeni të plotë për këtë situatë, i ka borxh shqiptarëve 280 milion dollarë?, tha zv,ministrja.