TIRANË - Zbardhja e krimeve të vjetra kundër pronës dhe veçanërisht vjedhjet e banesave, apo ato të automjeteve do të jetë në fokus së punes se Policisë së Shtetit. Një pjesë e konsiderueshme e ngjarjeve që lidhen me dëmtimin e pronës, nuk kanë arritur të zbulohen. Për ndryshuar këtë situatë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka kërkuar nga strukturat e saj në bazë një informacion të detajuar mbi statistikat që kanë të bëjnë me këto ngjarje. Në shkresën dërguar strukturave vendore me 10 shtator të këtij viti, kërkohet informacion i plotë për periudhën janar- qershor të këtij viti. Në këtë urdhër kërkohet dërgimi i të dhënave pranë drejtorive të policisë në qarqe jo më vonë se një javë nga koha e mbërritjes së shkresës. Ajo iu është dërguar të gjitha drejtorive të policisë në qarqe, si dhe të gjithë komisariateve ne vend. Informacioni mbi zbulueshmërinë e kësaj kategorie krimesh pritet të grumbullohet në një bazë të dhënash nga Policia e Shtetit. Bazuar tek këto të dhëna Policia e Shtetit më pas pritet të kryejë edhe një studim përkatës për metodologjinë e hetimit, apo për mënyrën e organizimit të punë për zbardhjen e këtyre krimeve. Mbi bazën e këtij studimi pritet të përcaktohet edhe strategjia e re e veprimit.