Partia Demokratike ka vijuar sërish akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri i cili sipas tyre është i zhytur në trafikun e drogës.
Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e selisë blu Oriela Nebiaj ka përsëritu kërkesën për dorëheqjen e Tahirit të cilit i bëri thirrje të dorzohet përpara drejtësisë.
Nebiaj u shpreh se është e papranueshme që Tahiri të qëndrojë në krye të detyrës.
?Me Saimir Tahirin, me mister AA003GB, ne ia arritëm edhe kësaj dite kur shtypi Italian të përmendë përfshirjen e ministrit të brendshëm në trafikun e drogës, dhe ky skandal të ndërkombëtarizohet tashmë. Nuk e dimë se sa krenar është Edi Rama pas kësaj me ministrin e tij, por një gjë dihet se ka kaluar një muaj qyshse Tahiri gjendet nën akuzat më të rënda për një ministër të brendshëm, dhe ai vazhdon të jetë në detyrë. Eshtë kthyer në një turp kombëtar dhe nxitës i krimit dhe i trafikut, siç po e vërejmë çdo ditë me ngjarjet e rënda në vend, dhe siç e konstaton edhe anti-mafia italiane që është e alarmuar për sasitë e drogës që kalojnë nga Shqipëria në Itali. Saimir Tahiri duhet të largohet menjëherë nga detyra e të hetohet plotësisht nga drejtësia për përfshirjen në trafikun e drogës dhe inkriminimin e Policisë?, tha Nebiaj.