TIRANE - Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk do të diskutojnë në seancën e sotme plenare për projektligjin e demokratëve që kërkon hetim ndërkombëtar për çështjen e CEZ-it. Kjo pasi Konferenca e Kryetarëve e mbledhur këtë mëngjes vendosi të mos pranojë nismën e demokratëve për ta pasur këtë draft në rendin e ditës.
Deputeti i PD-së Eduard Halimi kërkoi që hetimi ndërkombëtar për CEZ të fillojë sa më parë duke kërkuar procedurë të përshpejtuar për pr/ligjin, por kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi tha se nuk ka bazë ligjore për këtë procedurë, ndaj kërkesa e tyre u rrëzua.
Sipas mazhorancës, ky draft duhet të kalojë me shumicë të cilësuar, pra me 84 vota në Kuvend, por për demokratin Halimi kjo është një alibi pasi ligji kërkon shumicë të thjeshtë prej 71 votash. ?Hetimi ndërkombëtar krijon besueshmëri?, - tha Halimi.
Partia Demokratike depozitoi të hënën në Kuvend projektligjin për hetim ndërkombëtar të skandalit të CEZ që shpërtheu pas mashtrimit të administratorit Kastriot Ismailaj me kompaninë DIA të mbledhjes së borxheve ndaj CEZ.
Një ditë më parë lideri i opozitës Lulzim Basha i apeloi kryeparlamentarit Meta të mbledhë Konferencën e Kryetarëve dhe ta kalonte sa më shpejt në seancë këtë nismë.
Hetimin ndërkombëtar e ka mbështetur edhe kryeparlamentari Ilir Meta, por ai ka theksuar se kërkesa e Bashës ndryshon nga ajo e liderit historik të PD Sali Berisha, pasi kërkon të hetojë vetëm kompaninë DIA. Ndërkohë kryeministri Rama deklaroi dje në një intervistë për VOA-n se nuk e mbështet idenë e hetimit ndërkombëtar, duke theksuar se Shqipëria është një vend kandidat për në Bashkimin Evropian dhe i ka të gjitha hapësirat ligjore për të bërë hetimin.