Kërkohet dhe konfiskim i bonove të nënës së Ismailajt, avokati: Presion

2015-09-30 2

TIRANË - Prokuroria e krimeve të rënda nuk tërhiqet nga konfiskimi e pasurisë së Kastriot Ismailajt personit të hetuar për pastrim parash dhe i përfshirë në skandalin e borxheve të ish-kompanisë CEZ Shpërndarja.

Prokurori Gentian Trenova vec parave të ndodhur në llogarit e Kastriot Ismailjat, ka kërkuar dhe konfiskimin e parave të bashkëshortes së Ismailajt Vosjavës dhe nënës së tij Lutfie Ismailaj.

Sipas prokurorit këto para janë pjesë e veprimtarisë së paligjshme të Kastriotit, e si rrjedhojë në zbatim të ligjit antimafia ato duhen të konfiskohen për llogari të shtetit.
Ndër vlerat monetare që zotërojnë bashkëshortja dhe nëna e Ismailajt për të cilat akuza kërkon konfiskimin, në gjykatë u listua dhe një llogari me bono thesari në Bankën e Shqipërisë e hapur nga Luftije Ismailaj.

Por kjo kërkesë e prokurorit sipas avokatit të Ismailjat, Vladimir Meçi duhet të rrëzohet pasi ajo bëhet vetëm për ti bërë presion Kastriot Ismailajt të tërhiqet nga arbitrazhi që kompania e tij DIA ka me shtetin shqiptar.

Para gjykatës Meci u shpreh se Ismailaj është hetuar dy herë në vitet 2013-2014 dhe dy herë hetimi është pushuar, dhe gjithçka nisi kur ai transferoi 330 mijë euro nga llogaria e tij drejt vjenës për të paguar kuotën e arbitrazhit.

Pasuria e kaluar në sekuestro preventive nga krimet e rënda përllogaritet në 5 milion euro, dhe është e ndarë në dy procese të veçuara me kërkesë konfiskimi për llogari të shtetit shqiptar.

Gjykata ende nuk ka një vendim nëse do të konfiskohet apo jo kjo pasurie, ndërsa seanca për të vendosur mbi kërkesën e konfiskimit ku përfshihet dhe pasurie e nënës dhe bashkëshortes së Ismailajt u shty për më 14 tetor.