Dibër, gruaja vret me sëpatë në gjumë burrin, kryetar i PS-së

2015-09-29 1

DIBËR - Krimi në familje shënon një tjetër viktimë. Kryetari i PS-së në Kalanë e Dodës, Kadri Visha 55 vjeç u qëllua për vdekje dy herë me sëpatë në kokë nga bashkëshortja e tij 45-vjeçare Agime. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e tyre në fshatin Ceren të Kalasë së Dodës në orët e para të mëngjesit, ndersa per te realizuar krimin gruaja ka perfituar nga fakti qe bashkeshorti i saj ishte ne gjume.

Policia e njoftuar për vrasjen nga banorët e zonës u nis drejt vendit të ngjarjes ku bëri dhe arrestimin e 45-vjeçares. Burime pranë prokurorisë së Dibrës thanë për Shqiptarja.com se xhelozia dyshohet të jetë shkaku i këtij krimi të rëndë.

Çifti prej kohësh ishte në konflikt me njëri tjetrin për shkak të skenave të xhelozisë së 45-vjeçares. Dy bashkëshortët jetonin të vetëm në banesë, pasi katër fëmijët e tyre ishin të martuar dhe ishin larguar nga shtëpia prej pak vitesh.

Agime Visha dyshohet se ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike në momentin që ka kryer krimin e rëndë. Burime per Shqiptarja.com thane se prej vitesh Agime Visha mjekohej per depresion ne spitalin e Peshkopise.

Pas ngjarjes tragjike, Agime Visha ka njoftuar të afërmit e saj për krimin e kryer dhe ka pritur ardhjen e policisë.

Viktima Kadri Visha ishte prej dy vitesh kryetar i Partisë Socialistë në Kalanë e Dodës në Dibër, ndërsa disa mandate ka qenë edhe anëtar këshilli në komunën e Kalasë së Dodës, tashmë të shkrirë me ndarjen e re territoriale.

Sakaq, mëngjesin e së dielës në Shijak të Durrësit një 41-vjeçar pas debateve me bashkëshorten ekzekutoi këtë të fundit, vjehrrin e tij dhe në fund vendosi të vriste veten.