Dëshmia: Myslimanët mjekër cjepër ma çuan burrin në Siri

2015-09-29 1

TIRANË - ?Ata myslimanët mjekër-cjepër ma çuan burrin në Siri?. Kjo dëshmi është bërë shkak për një situatë të tensionuar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda, aty ku zhvillohet seanca për të akuzuarit për xhihadizëm dhe rektrutimin e luftëtarëve për në Siri. Dëshmia është bërë nga Nazime Allxhaka, bashkëshortja e Mustafa Kuçi, i cili sipas saj ka shkuar të luftojë në Siri për luftë të shenjtë në emër të Allahut (Zotit) nën ndikimin e imamëve të vetëshpallur që janë nën akuzë.

Ka mjaftuar kjo dëshmi që imamët e vetëshpallur të cilët u ndjenë të ofenduar, të rrisin tensionet me dëshmitaren Haxhaka. Në pak sekonda qetësia e sallës u prish dhe të frikësuar nga një përleshje fizike trupi gjykues urdhëroi boshatisjen e sallës dhe veçimin e dëshmitares.

Teksa nxirreshin jashtë sallës me forcë familjarët e të pandehurve i janë kundërvënë dëshmitares duke e quajtur atë tradhtare të Allahut, e cila po shpifte. Sallën e kanë braktisur dhe të pandehurit mes tyre dhe imamët e vetëshpallur Genci Balla dhe Bujar Hysan, ndërsa nëpërmjet administratës gjykata njoftoi se seanca e 30-të ndaj xhihadistëve do të mbahet më datë 6 tetor.

Por kjo situatë ka alarmuar jo vetëm sigurinë e gjykatës por dhe Shërbimin Informative i cili ka mbërritur në pak minuta pranë Krimeve të Rënda dhe dy efektivë të antiterrorit.

Në një takim me strukturat e policisë ata kanë vendosur dhe marrjen në mbrojtje të dëshmitares, e cila për 45 minuta ka qëndruar në ambientet e brendshme të gjykatës, bënë me dije burime për Shqiptarja.com.

Seanca është zhvilluar pa praninë e mediave, ndërsa kjo nuk është hera e parë e tensioneve që krijohet gjatë këtij procesi pasi dhe më parë familjarët e të pandehurve janë lënë jashtë gjyqit për shkak të bluzave me mbishkrimin Jam krenar që jam mysliman.

Free Traffic Exchange