A1 Report - Ristani: Shifrat e Tahirit s'mund të mbulojne realitetin per kriminalitetin

2015-09-24 0

TIRANE- Partia Demokratike ka sulmuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke i cilësuar si jo transparente statistikat për treguesit e kriminalitetit. Ish-zëvendëministri i Brendshëm Arben Ristani është shprehur në një deklaratë për mediat se "kryeministri dhe ministri i Brendshëm gënjejnë kur thonë se numri i kriminalitetit është ulur, gënjejnë po ashtu edhe kur thonë reforma e tyre në Policinë e Shtetit po e kthen këtë të fundit në institucion demokratik, transparent dhe në gjendje të parandalojë dhe luftojë krimin".

"Gënjen veten Ministri dhe Kryeministri i tij, kur përpiqen t'i mbushin mendjen popullit se treguesit e kriminalitetit janë në rënie dhe për këtë flasin vetëm për muajin dhjetor dhe vetëm për natën e ndërrimit të viteve duke dhënë vetëm përqindje të palexueshme për të fshehur të vërtetën. Partia Demokratike thekson se kjo përpjekje nuk e mbulon dot realitetin që po jetojmë çdo ditë, ku bombat dhe minat me telekomandë, rasti më i fundit kundër Kryetarit të PD Pogradec, grabitjet, vjedhjet, aksidentet dhe pasiguria e jetës janë shtuar ndjeshëm", u shpreh Ristani.

Ristani po ashtu është shprehur se Policia e Shtetit u kthye në polici partiake duke zëvendësuar profesionistët me militantët, numëruesit dhe komisionerët e PS. Ristani e ka quajtur farsë, rekrutimin e policëve të rinj.

"Në fund të dhjetorit, një urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka hequr nga lista e pritjes rreth 500 kandidatë për policë, të cilët i kanë fituar të gjitha fazat e konkursit të monitoruar nga ICITAP, dhe ishin në pritje të hapjes së vendeve të reja. Thirrja e Tahirit për aplikime deri më 20 janar, është demagogji dhe farsë, pasi është e qartë se rekrutimet do të bëhen nga zyrat e Partisë Socialiste sipas interesave të kësaj force politike për të vënë nën kontroll total Policinë e Shtetit", tha Ristani.

Free Traffic Exchange