Jankullovska: Më shumë se 3 sektorë për shqiptarët

2015-09-24 2

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska thotë se përfaqësuesit e bashkësive etnike jo-shumicë në vend ushtrojnë më tepër poste udhëheqëse në këtë dikaster, krahasuar me shifrat që paraqet televizioni ALSAT-M. Në pyetjen tonë, nëse janë të sakta apo jo shifrat që ofron Zemri Qamili, shefja e tij Jankullovska shkoi më tej duke thënë se përkundrazi, numri i shqiptarëve është akoma edhe më i madh. Sipas qëndrimit të fundit të Qamilit, nga 12 sektorët e SPB-së në Shkup, 3 do të udhëhiqen nga kuadro shqiptarë. Jankullosva tha se ka më shumë se 3 përfaqësues të bashkësive etnike jo-shumicë, duke mos dashur të precizonte qartë nëse bëhej fjalë konkretisht për shqiptarë, apo edhe për përfaqësues të bashkësive tjera etnike jo-shumicë që jetojnë në Maqedoni.

'Nëse pyetja juaj ka të bëjë me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në strukturat udhëheqëse, mendoj se informacioni juaj nuk është i saktë deri në fund pasi, megjithëse për momentin nuk i kam statistikat para meje, numri i kuadrove, përfaqësues të bashkësive etnike në vend është shumë më i madh nga ai që ju paraqitni', tha Gordana Jankullovska , Ministre e Brendshme.

Ndërkohë zv/Ministri i Brendshëm Zemri Qamili, 1 muaj më parë pati deklaruar se shqiptarët pas përfundimit të procesit të ndarjes së posteve në këtë dikaster, në nivel të SPB-së së Shkupit do të marrin edhe një tjetër post udhëheqës, përveç 2 ekzistuesve. Sipas Qamilit ndryshime ka pësuar edhe Drejtoria për Siguri Publike e cila është ristrukturuar nga 3 në 6 sektorë prej të cilëve vetëm njëri do të jetë shqiptar. Valmir Kuçi