Ekspertët skeptikë për ngritjen e shërbimit në administratë

2015-09-24 1

Ekspertët hedhin dyshimet rreth efekteve të mundshme të konceptit të ri në administratë. 'Menaxhmenti Etik' të cilin e promovoi vet kryeministri Gruevski një ditë më parë para 3 mijë administratorëve, sipas tyre do të mund të ngrejë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve vetëm pasi pushteti të heq dorë nga punësimet në baza politike dhe partiake. Në të kundërtën, ekspertët vlerësojnë se edhe ky koncept do të mbetet në letër sikurse shumë ligje te tjera që nuk gjejnë zbatim praktik.

"Unë personalisht jam skeptik rreth gatishmërisë së partive në pushtet për të zbatuar këtë koncept për Menaxhment Etik. Ne akoma mendojmë në kuadër të 'sistemit spoils' mendojmë se administrata do të jetë efikase vetëm nëse është e përbërë nga përfaqësues të partisë sonë, në këtë rast do të kemi persona të dëgjueshëm dhe besnik dhe administrata do të jetë efikase. Megjithatë administratë efikase është ajo që u shërben qytetarëve dhe jo partisë në pushtet", deklaroi Temelko Risteski, profesor i administratës publike.

Fani Karanfilova Panovska nga Instituti Shoqëri e Hapur vlerëson se mënyra e organizimit të prezantimit të djeshëm të këtij koncepti, i cili shpesh përcillej me duartrokitje edhe gjatë kritikave të kryeministrit, është dëshmi se administratorët trajtohen si ushtarë partiak.

"Meqë kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas publikimit të raportit të progresit, nuk e di nëse kryeministri, iu sqaroi administratorëve nga burojnë kritikat e KE-së; se në administratën tonë mungojnë kriteret për punësimin dhe avancimin tyre në profesion në bazë të meritave dhe se administrata jonë nuk është e pavarur nga ndikimet politike dhe partiake", u shpreh Fani Karanfilova Panovska, Instituti Shoqëri e Hapur

Për profesorin Hasan Jashari, zbatimi në praktikë i këtij koncepti duhet të fillojë nga decentralizimi i administratës publike.

"Unë mendoj nëse si ide ajo është e mirë, por tjetër është ideja e tjetër realizimi. Mirëpo që të jetë efektive dhe që të mundemi njerëzit t'i nxisim të mendojnë sidomos në administratë udhëheqësit e saj të mendojnë për çështjet etike, në një kohë kur kemi erozion të tërësishëm të moralit duhet pasur parasysh dy çështje. Së pari duhet të bëhet decentralizimi i administratës publike që njerëzit të mos shkojnë në Shkup është irelevante nëse shkojnë në një apo dy ministri por një numër të madh të mjeteve të tyre ti marrin në vendet ku jetojnë", tha Hasan Jashari, profesor i administratës publike.

Kryeministri Gruevski një ditë më parë prezantoi konceptin e ri Menaxhment Etik në administratë i cili parashikon të ngrejë nivelin dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve, ndërkaq paralajmëroi gjoba të larta për të gjitha ata që do të shkelin ligjin. Semra Jakupi