Kurban Bajrami, festohet edhe në Shqipëri e Kosovë

2015-09-24 9

Falja kryesore e namazit të Kurban Bajramit në Kosovë, është shënuar në xhaminë e madhe në Prishtinë. Myftiu i Kosovës Naim Ternava iu bëri apel gjithë besimtarët myslimanë për paqe dhe solidaritet. "Kjo festë duhet të ketë në qendër të varfrit"- deklaroi Tërnava, duke thënë se në Kosovë, ata nuk janë të paktë. "Në vend të armiqësive, të shtrihet dora e pajtimit."

"Jeta e kësaj bote duhet ditur se është e përkohshme dhe kalimtare, është një sprovë nga i madhi Zot për njeriun se si do ta shfrytëzojë këtë jetë në raport me krijuesin...... Ndaj, edhe në këtë ditë ne duhet të shijojmë vlerat që ka kjo festë, se ndjenja për të bërë mirë dhe për t'u solidarizuar me njerëzit e vullnetit të mirë, shprehja e pastërtisë shpirtërore si rast për tu pastruar nga çdo e metë dhe gabim", tha Naim Tërnava, Myfti i Kosovës.

Ndërsa në Shqipëri, mijëra besimtarë myslimanë, ashtu si edhe çdo vit tjetër, u mblodhën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë për të falur namazin e Kurban Bajramit, duke sfiduar edhe reshjet e shiut. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Selim Muça përcolli mesazhin për paqe dhe gëzim në familje, duke u bërë thirrje për bujari dhe ndihmë ndaj të varfërve.

"Të nderuar besimtare dhe besimtarë myslimanë, ju përshëndes të gjithëve dhe ju lutem të na e falni për sakrificën por shi po bie e nuk kemi ç'i bëjmë! Ne do të falim namazin pak në kushte të vështira..... ju uroj gëzuar, shëndet, mirësi, bukuri, pajtim, falje për të gjithë dhe inshallah myslimanët janë vëllezër me njëri-tjetrin dhe do të kalojmë mirë jo vetëm në festën e bajramit me gëzime e me harmoni, por edhe gjithë vitin", u shpreh Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman, Shqipëri.

Festa e Kurban Bajramit është duke u festuar në të gjithë botën, ndërkohë që ekranet televizive në tërë botën shpalosën pamje nga kryeqendra e islamit, qytetin e Mekës në Arabinë Saudite. Mbi 2 milion besimtarë nga i gjithë bota zhvilluan pelegrinazhin e Haxhit që kulmoi me ecjen përreth Xhamisë së Shenjtë në Mekë. Më herët, gjatë këtij rituali që zgjat tre ditë, myslimanët e devotshëm kaluan natën e së dielës në qytetin e shenjtë të Minasë, ndërsa përgjatë së hënës kryen lutjet e mëdha në Malin e Arafatit, duke ndjekur në këtë mënyrë hapat e Profetit Muhamed. Valmir Kuçi