Ministri i Jashtëm i Holandës Frans Timermans u bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë të mos keqpërdorin çështjen e emrit për politikë ditore. Timermans i cili sot priti në një takim kreun e BDI-së Ali Ahmeti në Hagë, theksoi se palët duhet të shmangin retorikën nacionaliste dhe veprimet që mund të cenojnë procesin e negociatave. Timermans, në prag të publikimit të raportit të progresit, kërkoi angazhim më të madh të palëve për të kapërcyer dallimet rreth emrit, por edhe vazhdimin e reformave. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, nga ana tjetër, shprehu shqetësimin për ngecjen e procesit të integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë, pasi sipas tij, në këtë mënyrë mund të rrezikohen edhe arritjet e vendit për sa i përket reformave dhe stabilitetit të vendit.
"Kryetari Ahmeti shfaqi brengosjen e vet për vonesat e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE dhe kërkoi përfshirjen e Holandës në mënyrë të drejtpërdrejtë në lehtësimin e dialogut mes Maqedonisë dhe Greqisë drejt arritjes së kompromisit për çështjen e emrit. z. Ahmeti kërkoi edhe angazhimin më të theksuar të vendeve të BE-së sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme midis dy vendeve fqinje", tha Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së.
Nga BDI gjithashtu njoftuan se Shefi i diplomacisë holandeze ka premtuar se do të kontaktoj me kolegët e vet në Bashkimin Evropian për të afirmuar nevojën për zgjidhjen e problemit të emrit si pjesë e agjendës evropiane për zgjerim. Timermans, gjithashtu, ka ngritur si shqetësuese çështjen e lirisë së shprehjes dhe të mediave në Maqedoni. Kreu i BDI-së Ahmeti takoi në Hagë edhe përfaqësuesit e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme. Semra Jakupi