Për dy javë pritet që të përfundojë lufta tregtare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Kështu vlerësojnë në Qeverinë e Maqedonisë. Sot , përfaqësuesit e të dy qeverive, ministrat e tregtisë dhe financave të Kosovës, Mimoza Kusari dhe Besim Beçaj dhe ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, në Prishtinë e bënë hapin më të rëndësishëm, e filluan dialogun. Palët u pajtuan që mos të vendosen masa të reja, të saktësohen kompetencat dhe veprimet për kapërcimin e krizës, pastaj të fillojnë bisedimet konkrete. Pasi të tejkalohen të gjitha mosmarrëveshjet, dy qeveritë, njëkohësisht do të merrnin vendim për heqjen e të gjitha masave që janë aplikuar në këtë luftë tregtare.
"Qeveria jonë dëshiron dhe është e interesuar që sa më shpejtë të zgjidhet ky problem dhe ne jemi të gatshëm për dialog. Dhe jam tejet i gëzuar që sot po fillon një dialog konstruktiv, mes dy palëve", deklaroi Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë së Maqedonisë.
"Jemi të gatshëm në momentin kur qeveria e Republikës së Maqedonisë bën tërheqjen e dy masave, masën kushtëzueze për importin e miellit, aktualisht që është ende në fuqi, dhe masën penguese të lëvizjes së lirë të njerëzve, atëherë edhe qeveria e Republikës së Kosovës do të tërheq ndalesën e saj për import të mallrave që vijnë nga Republika e Maqedonisë", deklaroi Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë së Kosovës.
Ministri Saraçini tha se i tërë procesi i normalizimit të marrëdhënieve ekonomike nuk është një punë e thjeshtë dhe andaj do të nevojitet kohë para së gjithash një vëmendja që përsëri të mos rrezikohen interesat ekonomike e të dy shteteve. Se situata filloi të shkallëzohet flasin edhe masat e përfolura në media që mund ti ndërmerrte Maqedonia. E përditshme 'Dnvevnik' shkruan sot se kryeministri Gmruevski po shqyrton mundësinë e vendosje së vizave për shtetasit e Kosovës. Ky informacion nuk është konfirmuar dhe tani është vetëm spekulim gazetaresk. Gjithashtu, që nga e premtja, sipas informatave të televizionit Alsat-M po shqyrtohet edhe embargoja e naftës ndaj Kosovës, por pas ngjarjeve të sotme në Prishtinë, ky opsion nuk është më në rend dite. Në Qeverinë e Maqedonisë nesër do të bisedojnë lidhur me vizitën e Saraçinit në Kosovëdhe mundësinë e tejkalimit të gjendjes momentale. Goran Temenugov