Çuçer Sandevë, nuk lejohet gjuha shqipe!

2015-09-24 10

Në Komunën e Çuçer Sandevës nuk respektohet gjuha shqipe edhe pse shqiptarët janë mbi 25 %. Pikërisht për këtë, këshilltarët e BDI-së braktisën sot mbledhjen e këshillit të komunës pasi materialet e tyre u shpërndanë vetëm në gjuhën maqedonase, megjithëse kryetari i kësaj Komune Jovan Pejkovski ishte shprehur se pas zgjedhjeve kjo e drejtë e shqiptarëve do të realizohej. Aziz Avdiu, njëri nga këshilltarët e BDI-së në Komunën e Çuçer Sandevës thotë se ai dhe kolegët e tij shqiptarë nuk do të kthehen në mbledhjet e këshillit komunal, për aq kohë sa nuk respektohet e drejta e tyre e garantuar me kushtetutë.

"Ne si këshilltarë të BDI-së dhe unë si koordinator i grupit të 3 këshilltarëve të BDI-së në mbledhjen e parë konstituive e mbajtur para 1 muaji ia bëmë me dije se ekziston ligji për përdorim të gjuhës shqipe dhe kërkuam që të ketë përkthyes të gjuhës shqipe në komunë, që do të përdorej për përkthimet e materialeve dhe përkthimit simuluan në komunë. Kjo gjë nuk ndodhi, ne morëm materialet e duhura për mbledhjen që sot u mbajt në ora 10 dhe në procesverbalin e mbledhjes së kaluar nuk ishte as e cekur se ne kemi kërkuar që materialet të jenë edhe në gjuhën shqipe", tha Aziz Avdiu, këshilltar i BDI-së në Komunën Çuçer Sandevë.

Sipas këshilltarit të BDI-së, kreu i Komunën e Çuçer Sandevës Pejkovski e arsyeton mos aplikimin e gjuhës shqipe me mungesë të mjeteve financiare për të punësuar një përkthyes.

"Jovan Pejkovski, mos aplikimin e shqipes në komunën e tij e arsyeton me atë se nuk ka mjete financiare, por neve ajo nuk na intereson, ne kërkojmë atë që na takon me ligj dhe kësaj pune ne do ti shkojmë deri në fund", tha Aziz Avdiu, këshilltar i BDI-së në Komunën Çuçer Sandevë.

ALSAT-M tentoi të kontaktonte edhe me kryetarin e Komunës së Çuçer Sandevës, Jovan Pejkovski. Ai ishte i pakapshëm për televizionin tonë. Nga zyrtarët e tjerë të kësaj komune na u tha se nuk guxojnë të komentojnë çështje të tilla pa prezencën e tij. Ndërkohë, këshilltarët shqiptarë të Komunës së Çuçer Sandevës pas braktisjes së mbledhjes së këshillit komunal iu drejtuan Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Ata thanë se kanë morë përkrahje dhe premtime në zgjidhjen e këtij problemi. Valmir Kuçi