Shkolla në Slivnik, mobilizon Ministrin e Arsimit

2015-09-24 0

Një ekip i ministrisë së arsimit do të vizitojë javën e ardhshme shkollën fillore "Vasill Gllavinov" të fshatit Slivnik të Velesit dhe do të shënojë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen nxënësit e fshatit. Kështu paralajmëroi zv/ministri i Aarsimit Safet Neziri, pasi televizioni ALSAT solli një ditë më pare, pamjet e mjerueshme të shkollës dhe kushtet dramatike të higjienës ku iu duhet të mësojnë nxënësit. Neziri gjithashtu tha se do të nisin bisedime edhe me komunën e Velesit, për gjetjen e një forme bashkëpunimi, në meremetimin ose ndërtimin e një objekti të ri për shkollën.

"Ne do të mundohemi shumë shpejt, brenda këtyre ditëve të formojmë një ekip edhe të shkojmë atje dhe ta verifikojmë gjendjen si është, çka është dhe çka duhet të bëhet në të ardhmen. Vet ajo pjesë e raportit tuaj, ato pjesët filmike të lajmeve që patët mbrëmë ishte shqetësuese edhe për mua individualisht, edhe si ministër e Arsimit dhe Shkencës. Duhet të bashkëpunojë pushteti lokal për t'i parë mundësitë e tyre se çka do të na ndihmojnë ata neve nga aspekti teknik dhe organizativ ne jemi të obliguar si ministri e arsimit që në të ardhmen ta kemi parasysh, ta futim në programet tona për ndërtim ose rikonstruim të shkollave fillore dhe të mesme", deklaroi Safet Neziri, zv/ministër i Arsimit

Ndërkohë lidhur me ankesat për gjendjen e vështirë për mësim, drejtuar ministrisë së arsimit, Neziri tha se në kabinetin e tij deri më sot nuk ka mbërritur asnjë lloj ankese e tillë.

"Për herë të parë dëgjova për një problem të kësaj natyre nëpërmjet televizionit tuaj, do të thotë se te unë ndoshta kanë dërguar mirëpo te unë letër apo informacion për këtë çështje, për këto problem që ballafaqohet kjo shkollë nuk ka arrit te unë, por sërish nëpërmjet juve e mora informacionin, nëpërmjet lajmeve tuaja dhe tash ne do të kemi qasje në atë drejtim, do të veprojmë konform ligjit, konform standardeve të cilat parashohin për ta rregulluar situatën ose gjendjen e faktike në këtë shkollë", tha Safet Neziri, zv/ministër i Arsimit.

Një ditë më pare, ekipi i televizionit Alsat vizitoi fshatin Slivnik të Velesit ku filmoi nga afër kushtet e vështira për mësim të 75 nxënësve. Ajo që ishte edhe më tragjike në këtë rast ishte mungesa e ujit për t'u pastruar dhe gjendja jashtëzakonisht e mjerueshme e tualetit për nxënësit, kushte këto që në këtë sezon gripal, mund të jenë të rrezikshme për fëmijët. Melihate Rustemi