Nju Jork, skulptura nga rëra për 'Ditën e Bashkimit'

2015-09-24 2

Për herë të 22-të me radhë, plazhi me rërë në ishullit Coney të Nju Jorkut mirëpriti konkursin e skulpturave të rërës në kuadër të festës për Ditën e Bashkimit. Më shumë se 50 pirgje të mëdhenj rëre u transformuan në vepra arti nga profesionistë, amatorë, apo edhe fëmijë pjesëmarrës. Skulptorët mbërritën që herët në mëngjes për të punuar veprat e tyre, të cilat do të vlerësoheshin nga kompania 'Akuariumi' e Nju Jorkut, organizuese e kësaj ngjarjeje. Mjeshtri Bill Sishone tha i bindur se çdokush mund të krijojë skulptura, mjafton ideja, rëra e lagësht dhe mistria që e gdhend atë.
"Nuk duhet shumë përgatitje, pak ujë, pak kohë dhe pak durim. Nëse ke talent dhe je praktikuar pak më herët, kjo gjë nuk është problem. Thjesht, të ecën dora", u shpreh Bill Sishone, skulptor profesionist.
Garuesit amatorë konkurruan në 5 kategori, duke u ndarë sipas moshës, në grupe dhe individualisht. Secila prej tyre kishte avantazhet dhe disavantazhet, pasi ndonjëherë idetë nuk shkojnë si duhet. Xhon Alberga dhe shokët e tij, në këtë konkurs ia mësynë të bënin kala.
"Thjesht filluam të gdhendnim. E shohim për së largu, krijojmë idenë, dhe pastaj gdhendim. Nuk ka master plan këtu. Kështu shkon, me dorë të lirë", tha Xhon Alberga, skulptor amator.
"Kjo është një mënyrë fenomenale e clirimit të stresit. Sapo i fut duart në rërë, të gjitha problemet e botës zhduken", theksoi Arti Knap, Skulptor amator.
Skulpturat e rërës do të gjykohen nga një panel të cilët do të zgjedhin krijimin e parë, dytë dhe i tretë më të mirë të çdo kategorie. Fituesve do t'u jepen shpërblime në para, nga 400 $, 200 dhe 100 $. Admir Qose