TIRANË - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj akuzoi paraardhesin e tij Lulzim Basha se ka bërë emërime politike në institucionet që janë në varësi të Bashkisë, duke punësuar persona të lidhur me ish-kryeministrin Sali Berisha. Mes tyre, tha Veliaj, është ish-truproja i Berishës në 21 Janar, ish-deputeti i PD Ndue Paluca, drejtoresha e shërbimit diplomatik të ish-kryeministrit dhe ish-kryekomunari i PD-së në Berat. Kryebashkiaku Veliaj tha se nuk mund të punonte me të emëruar politik, ndaj me këtë argument ju përgjigj akuzave të këshilltarëve të djathtë në Bashki për shkarkimin e 60 punonjësve nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit.
...
Këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Tiranës e shfrytëzuan mbledhjen e kësaj pasditeje për të denoncuar sipas tyre shkarkimet e padrejta nga puna të 60 personave nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila është në varësi të bashkisë së kryeqytetit. Por kryebashkiaku Erion Veliaj e pati mjaft të thjeshtë të përgjigjej: Nuk mund të punoja me ta!
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se të punësuarit në këtë agjenci ishin emërime politike të ish-kryeministrit Berisha përmes ish-kryebashkiakut Lulzim Basha.
Veliaj ilustroi edhe me foto Arjan Adhamin, për të cilin u shpreh se ka qenë truprojë e Berishës gjatë protestës së 21 Janarit të 2011-ës, ndërsa me ardhjen e Lulzim Bashës në krye të Bashkisë, ishte emëruar inspektor mishi.