SHKODËR - Ai është vetëm 21 vjeç dhe quhet Safet Muça banor i fshatit Rragam në Shkodër. Sikurse qindra të rinj shqiptar, Safeti e kërkoi të ardhmen e tij jashtë kufijve të vendit.
21-vjeçari u largua për azil në Gjermani e me vetë mori vetëm shpresën se jeta e tij do të ishte më e mirë. I riu shqiptar ka shkuar dy herë për azil, ku herën e parë u kthye pas, nga autoritetet gjermane. Ndërsa në rrugëtimin e dytë ai qëndroi për 8 muaj e gjysmë në kampet gjermane, por u kthye vullnetarisht për arsye familjare.
?Na kanë pritur mirë. Na kanë pritur luks. 350 euro ka qenë pagesa më e vogël për beqar. Jemi të gjithë pa punë, unë erdha prej po skam shoqëri?, - shprehet Safeti.
Për këtë kthim të tij, 21-vjeçari shprehet i penduar. Ai pohon pa asnjë drojë se përsëri do të nisë rrugën e largët drejt Gjermanisë. Arsyet, -sipas tij- tashmë dihen, ekonomike.
"Po jam penduar që kam ardhur për arsye se këtu nuk ka asgjë. Këtu nuk ka asgjë për të fituar lekë. Të gjithë emigrantët që po vijnë në Shqipëri po habiten çfarë po ndodh", thotë ai.
Deklarata e shpeshtë e autoriteteve gjermane dhe shqiptare se shqiptarët nuk do të përfitojnë azil nuk është një pengesë për 21-vjeçarin.
Me shpresën se do të përjetojë ditë më të mira gjatë jetës së tij, ai do të niset për të tretën herë në dhe të huaj.