Klosi me homologen çeke firmosin një memorandum bashkëpunimi

2015-09-22 5

Arsimi profesional, turizmi dhe njohja e pensioneve janë fushat e reja në të cilat do të shtrihet tashmë bashkëpunimi Shqipëri-Çeki. Ministri shqiptar i Mirëqënies Sociale e Rinisë Blendi Klosi ka pritur në një takim homologen çeke Michaela Marksova me të cilën nënshkroi një memorandum bashkëpunimi përmes të cilit Çekia angazhohet të ndihmojë vendin tonë në arsimin profesional.

Po ashtu përmes këtij memorandumi, palët kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë edhe në fushën e turizmit social.

Sipas kësaj marrëveshje parashikohet që Çekia si vend anëtarë i BE-së të mund të ofrojë kurse të specializuara për të diplomuarit. Klosi dhe Marksova diskutuan edhe për njohjen e pensioneve, ku pritet që së shpejti të firmoset në Pragë edhe marrëveshja mes përfaqësuesve të qeverive respektive.

Të dy ministrat ishin dhe në Berat ku dhe morën pjesë në përurimin e shkollës së rikonstruktuar ?Avdyl Avdia?, që u përmbyt në fillim të këtij viti dhe që i shërben komunitetit rom të kësaj zone.