TIRANË - Kultura për një qytet të pastër dhe ekologjik nis nga më të vegjlit duke i edukuar ata që të përdorin sa më shumë biçikletat, e për këtë arsye java evropiane pa makina ka nisur të ndihet dhe në Tiranë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj i cili prej tri ditësh i është bashkuar kësaj nisme ka shoqëruar sot fëmijët në një aktivitet pedalimi ku është shprehur se Bashkia do ta risjellë më shpesh këtë shembull.
?Sot kemi një aktivitet ekskluziv që të sigurohemi që dhe më të vegjlit që ndoshta janë rritur në një gjeneratë të betonit edhe nuk kanë mësuar biçikletat të kenë mundësi që të kenë për pak minuta qytetin në dispozicion. Është një mënyrë se si ne duam ta kthejmë në traditë ndoshta një herë në muaj ose 4-5 javë ne të kemi një ditë totalisht pa makina. Një qytet ku secili shkon nga kafja në kafe me makinë nuk është qyteti i ëndrrave tona, ky është qyteti i ëndrrave tona?, - tha Veliaj.
Përfaqësuesi i Ecovolis Eneid Mato por dhe fëmijët duken tepër entuziastë për frymën e re të pedalimit që ka nisur të prekë Tiranën.
Dhjetëra prindër e fëmijë pedaluan nga Pallati i Kongreseve deri në qendër të Tiranës për të dhënë shembullin e tyre por edhe për t?iu bashkuar javës pa makina.