TIRANË - Prej dy vitesh në Prokurorinë e Tiranës ?fle? dosja e kallëzimit me 145 zyrtarë të lartë të cilët kanë përfituar padrejtësisht kredi me vlerë 5 milionë lekë dhe interes 4 % për strehim nga enti i banesave , kallëzim ky i bërë nga Ministria e Zhvillimit Urban. Në listën e zyrtarëve të deklaruar të pastrehë në 2011, nuk mungojnë kreu i SHISH Visho Ajazi, ish-ministri Flamur Noka, apo gjyqtarë përfshi Metush Saraçin dhe Ervin Metallën nga Apeli në kryeqytet.
....
Abuzimi me paranë publike dhe kredinë e butë e cila duhet të përfitohet nga njerëzit në nevojë në Shqipëri, përgjatë qeverisjes Berisha ka kaluar kufijtë e skandalit.
Shqiptarja.com ka siguruar kallëzimin penal të Ministrisë së Zhvillimit Urban e cila kërkon nga Prokuroria të hetojë se si mbi 145 persona zyrtarë të lartë nga ministra, deputetë dhe gjyqtarë kanë përfituar nga 5 milionë lekë kredi për blerje shtëpie me interes 4 % kundrejt interesit të tregut në bankat e nivelit të dytë me vlerë nga 8 deri në 12 %.
Kallëzimi penal mban datën 22 janar të vitit 2014 dhe është depozituar nga ministrja Eglantina Gjermeni në Prokurorinë e Tiranës.
Material i Ministrisë bënë fjalë për 145 zyrtarë të cilët kredit e buta i kanë përfituar me shkelje ligjore e për këtë arsye i është kërkuar informacion kryeregjistruesit Ilirian Muho, por nga hipoteka - sqaron ministria - ka munguar një përgjigje.
E për këtë arsye ministrja Gjermeni ka kërkuar nga Prokuroria të hetojë mbi këta zyrtarë pasi ka tagrin e institucionit që mund të bëjë hetime.
Por kur kanë kaluar më shumë se një vit për këtë kallëzim jo vetëm Hipotekat nuk kanë dhënë përgjigje, por këtë herë dhe prokuroria nuk ka asnjë rezultat të hetimit apo veprimet konkrete se si janë përfituar këto kredi.