Nuk ka qenë aspak e lehtë mbledhja e parë që Ditmir Bushati ka drejtuar si koordinator i strukturave të Partisë Socialiste në Shkodër. Pakënaqësitë e bashkëpunimit me LSI- në, por edhe vetë puna e strukturave socialiste kanë ndezur debatet në sallën ku zhvillohej mbledhja me dyer të mbyllura.
Struktura bazë e PS-së në këtë qark u akuzua se nuk ka punuar ashtu siç duhet, prandaj edhe mori një rezultat humbës në Bashkinë Shkodër. Nga ana tjetër anëtarët e PS-së kanë akuzuar drejtuesit e selisë rozë se i kanë lanë në harresë të plotë.
Anëtarë të këtyre strukturave, të pranishëm në mbledhje bëjnë të ditur për ?Shqiptrja.com? se deputeti Paulin Sterkaj ka pranuar se Partia Socialiste po kalon një moment të keq dhe se strukturat drejtuese të fushatës ishin të përçara.
?Shumica ishin në mëngjes me Ketin (Keti Bazhdarin) në darkë me Namikun (Namik Kopliku), në tre të natës me Tomën (Tom Doshin) e në mëngjes me Gonin (Agron Çela)... i kam me filmime. Nuk kemi asnjë infektim me koalicionin?, mësohet se ka thënë Sterkaj. Por këto deklarata i mohoi jashtë dyerve të mbledhjes.
Edhe pse Sterkaj ka bërë këtë deklaratë publike, gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura ai mësohet se e ka cilësuar si qesharake humbjen e PS-së Shkodër. Të njëjtat burimet bënë të ditur se, Sterkaj u shpreh se koalicioni me LSI-në ka dëmtuar PS-në në Shkodër, dhe tregues për këtë është rezultati i zgjedhjeve.
Edhe ish-kryetari i komunës së Bërdicës, Besnik Brahimi në mbledhje u shpreh se drejtorët e PS-së kanë parë interesat personale. Koordinatori Ditmir Bushati është përpjekur që të qetësojë gjakrat, por edhe të zgjidhë situatën duke pranuar se jo gjithçka ka funksionuar siç duhet ndaj paralajmëroi se do të ketë zgjedhje për të kryetarin e ri të partisë të kësaj dege.