TIRANË - Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë publike rezultatet e raportit të Guardia di Finanzias për asgjësimin e bimës narkotike. Ai tha se në vitin 2013 ish-qeveria e djathtë ka asgjësuar vetëm 7.5 % të sipërfaqes me drogë, ndërsa në 2015-ën qeveria e majtë ka shkatërruar 99.2 % të sipërfaqeve të identifikuara me kanabis. Sipas statistikave, tha Tahiri, - edhe sipërfaqja e drogës së mbjellë është 8 herë më pak se në 2013.
Tahiri: Asgjësuam 690 mijë rrënjë kanabisi, Muli dhe Luli kampion të dështimit
Ministri Tahiri tha se dy ish-paraardhësit e tij në Ministrinë e Brendshme Flamur Noka dhe Lulzim Basha kanë dështuar në luftën kundër drogës. Këtë akuzë Tahiri e mbështeti me rezultate të raportit, sipas të cilit këtë vit janë asgjësuar 690 mijë rrënjë kanabisi, ndërsa kur Basha ish ministër 37 mijë, dhe në kohën e Nokës 21 mijë rrënjë.
?Dallimi është i qartë, po bëjmë një luftë që qeveria e kaluar as e ka menduar e as e ka imagjinuar e jo më ta synonte. Është kjo arsyeja që vetëm këtë vit janë shkatërruar mbi 690 mijë rrënjë kanabis, tregues ky i suksesit të padiskutueshëm të Policisë së shtetit me ndihmën e vyer të Guardia di Finanza. Ashti siç besoj e patë në grafikun që shfaqet pas meje se vitet që është shkatërruar më pak në historinë e luftës së shtetit kundër drogës janë vitet 2010, kur ishte ministër Lulzim Basha, gjithsej 37 mijë rrënjë; viti 2011 kur gjysmën e parë ishte ministër Lulzim Basha dhe pastaj Bujar Nishani, janë gjithsej 21 mijë rrënjë dhe vitit 2012 kur ministër ishte Flamur Noka gjithsej 33 mijë rrënjë për të mos folur për vitin 2013 sepse statistikën e përmirësojnë dukshëm 3 muajt e fundit të vitit 2013 kur ne morën detyrën. Unë nuk ekzagjeroj fare kur them se Luli dhe Muli kanë qenë dy kampionët më spektakolarë të dështimit në luftën e shtetit kundër drogës, siç janë sot dy kampionët më spektakolarë të akuzave dhe shpifjeve ndaj policisë, sa herë policia bën sukses?, theksoi ministri i Punëve të Brendshme.