Vendi ynë mbështet Gjeorgjinë në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike.
Ky fakt u konfirmua nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë një takimi me homologun e Gjeorgjisë, i cili tha se kjo i shërben paqes dhe stabilitetit në rajonin e Kaukazit.
Në këtë drejtim kryeparlamentari konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe shprehu vullnetin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh si në planin ndërparlamentar, ashtu edhe në drejtim të plotësimit të kuadrit ligjor të nevojshëm.
Nga ana tjetër kryetari i kuvendit të Gjeorgjisë, David Usupashvili duke vlerësuar mbështetjen që Shqipëria i jep vendit të tij dhe ndau bindjen e përbashkët se dy parlamentet duhet të punojnë më ngushtë së bashku për hapjen e mundësive të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve.
Takimi i dy kryetarëve të kuvendeve u zhvillua në Gjeorgji, ndërsa ishin të pranishëm në punimet e Konferencës Ndërkombëtare mbi transparencën parlamentare që po zhvillohet këto ditë në Tbilisi.