Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, u shpreh të hënën në komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, se ngritja e Inspektoriatit të Mbikqyrjes së Tregut do të bëjë të mundur kontrollin metrologjik të të gjithë mallrave konform standardeve të BE-së.
Gjatë prezantimit të projektligjit ?Për metrologjinë? i ndryshuar, në komisionin e Kuvendit, ministri Ahmetaj tha se, regjistrimi i mallrave aktualisht është vullnetar, ndërsa me miratimin e kësaj strukture të Inspektoriatit të Mbikqyrjes së Tregut, do të jetë detyrim ligjor, që do të thotë rritje e cilësisë së mallrave.
Ngritja e Inspektoriatit të Mbikqyrjes së Tregut pritet të përmirësojë cilësinë dhe standardet e mallrave në treg dhe është një kërkesë e BE,e shprehur që në Progres Raportin për Shqipërinë në vitin 2007.
Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, Autoriteti i Inspektimit të Tregut dhe Metrologjisë, është personel juridik publik, me juridiksion në të gjithë territorin e vendit, e organizuar si drejtori e përgjithshme në varësi të ministrit përgjegjës për ekonominë.
Autoriteti, në kuadër të këtij ligji, është përgjegjës për metrologjinë shkencore, industriale dhe ligjore si dhe për inspektimin metrologjik, sipas dispozitave të këtij ligji. Autoriteti kryen dhe funksione të tjera inspektuese të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi.
Ky institucion realizon inspektimin metrologjik dhe merr vendim për heqjen nga tregu të instrumentit matës, kur ky instrument nuk plotëson kërkesat teknike dhe metrologjike të kërkuara, të përcaktuara për një procedurë testimi. Ai kryen dhe funksione të tjera inspektuese të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave sipas legjislacionit në fuqi./ ATSH/