TIRANË - Dështon plani i bashkisë së Tiranës për të kufizuar lëvizjen e automjeteve brenda unazës së vogël për të lehtësuar trafikun. Paraditen e sotme dhjetëra furgonë mallrash apo mjete të tonazhit të rëndë kanë qarkulluar në akset qe bashkia ka kufizuar lëvizjen. Por, drejtuesit e automjeteve pohojnë se janë shumë pak të informuar për urdhrin e ri. E pavarësisht kësaj, policia bashkiake ka nisur vendosjen e gjobave të para.
...
Rreth 30 mijë fëmijë u ulën sot për herë të parë në bankat e shkollës, duke nisur kështu një cikël të ri dhe të gjatë në jetën e tyre. Këtë fillim viti të ri shkollor dyert e arsimit publik hapen për të mirëpritur rreth 489 mijë nxënës. Por me nisjen e vitit të ri shkollor Tirana është përballur me një trafik të rënduar.
Plani i kryebashkiakut Erion Veliaj për të disiplinuar trafikun në shërbim të nxënësve duket se ka dështuar...të paktën në ditën e parë. Në orët e para të mëngjesit (07:00-08:00) rrugët kryesore të kryeqytetit ishin thuajse të gjitha të bllokuara nga vargu i makinave.
Në unazë kanë qarkulluar furgonë, kamionçina - ndryshe nga urdhri i Bashkisë. Por shumë nga drejtuesit e automjeteve pranojnë se nuk janë njohur ende me rregullat e reja të vendosura nga bashkia, të bëra publik vetëm 3 ditë më parë.
Sipas urdhrit të bashkisë së Tiranës që kryetari Veliaj bëri publik më 11 shtator, gjatë ditës (nga kjo e hënë) ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe të furgonave që furnizojnë me mallra marketet në unazën e vogël të Tiranës. Ky vendim u mor në mënyrë që trafiku të lehtësohej për tu vënë në ?dispozicion? të fëmijëve për të mos humbur orën e parë të mësimit.
Krahas mungesës së një informacioni më të gjerë dhe të përditshëm, drejtuesit e automjeteve janë përballuar me një sërë gjobash nga policia bashkiake për moszbatim të orarit apo dhe qarkullimin në rrugët e ndaluara.