TIRANË - Nga burgu Aldo Bare i njohur si kreu i bandës së Lushnjes kërkon rihapjen e procesit gjyqësor për sekuestron e Lagunës së Karavastasë e cila deri në vitin 2008 ka qenë në pronësi të tij.
Pasuria prej 14 mijë metra katror e cila ishte në pronësi të Bares dhe familjarëve të tij u sekuestrua në vitin 2005 nga shteti dhe me kërkesë të prokurorisë ajo kaloi pronë shtetërore 3 vite më pas.
Por këto dy vendime sipas Aldo Bares janë marrë në shkelje ligjore e për këtë arsye ai i është drejtuar Krimeve të Rënda duke kërkuar rivendosje në afat të procesit gjyqësorë në të cilin ai humbi pronësinë.
Kërkesa për vendosje në afat të dosjes së Lagunës është bërë më 30 korrik 2015 dhe ajo pritet të gjykohet më 18 shtator nga gjyqtari Fran Prendi. Aldo Bare i njohur ndryshe dhe si Alfred Shkurti u akuzua 1 dekadë më parë për vrasje kryer në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje, krijim i organizatës kriminale e një sërë veprash penale për të cilat në 28 mars të 2011 u dënua me burgim të përjetshëm.
Këtë dënim Bare e vuan tashmë në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa pritet që më 18 shator ai të përballet me drejtësinë në lidhje me Lagunën e Karavastasë pronësinë e të cilës ai e ka pasur deri në vitin 2008.
Prej shumë vitesh Aldo Bare qëndroi në arrati, ndërsa në vitin 2006 ai u arrestua në Stamboll pasi u kap me një pasaporte false dhe u ekstradua më pas në Shqipëri ku dhe u gjykua.