TIRANE - Në Gjykatën e Lartë ka nisur vlerësimi i masave të arrestit për të prangosurit në flagrancë për ngjarjen e 5 shtatorit në Laç, mes tyre edhe deputeti Armando Prenga.
Seancat gjyqësore për masat e sigurisë zhvillohen me dyer të mbyllura (pa praninë e medias) ndërsa i pari që çeli këtë proces ishte Gjergj Cali, ndaj te cilit Gjykata vendosi te vleresoje te ligjshem arrestin dhe te vendosen mase "arrest me burg". I pyetur nga gazetari Arsen Rusta se si ka ndodhur ngjarja, Cali deklaroi ne dalje te gjykates: Pyesni Saimir Tahirin ç?ka ndodhur?
Shqiptarja.com mëson përmes burimeve dëshminë që Cali ka dhënë para trupës gjykuese. "Më qëlluan brenda në oborrin e policisë", - mësohet të ketë thënë Cali, i cili akuzon drejtpërdrejtë deputetin Prenga si personin që e ka dhunuar.
Gjergj Cali i cili mbeti i plagosur nga përleshja, tha se natën e konfliktit njoftoi policinë në numrin 129 pasi anëtarët e fisit të tij janë ndjerë të kërcënuar nga deputeti i qarkut të Lezhës Armando Prenga, telefonatë kjo e bërë para së të niste përleshja pranë komisariatit të Kurbinit ku u përdor edhe arma.
Më tej, - mësohet të jetë shprehur Gjergj Cali, - njoftova shefin e komisariatit te Lezhes dhe nga frika telefonave edhe ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri. Sipas dëshmisë së tij, ministri i ka dhënë dhënë garanci se ?gjithçka është në rregull?. "Edhe pse Tahiri na dha garanci, ne na vrane para policise", - cituan burimet fjalet e Calit.
Pas tij pritet që në Gjykatën e Lartë rreth orës 12:00 të mbërrijë edhe deputeti Prenga, i cili dyshohet se është përfshirë në përleshjen me anëtarët e fisit Cali, sherr ky i nisur kohë më parë për tenderin që i jep vëllait të Prengës të drejtën e peshkimit në Lagunën e Patokut.
Më tej në seancat e tjera do të vendoset masa e sigurisë edhe për të arrestuarit e tjerë Anton Leka, Gazmir Jushi dhe Gjok Cali.
Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Tom Ndreca, Artan Broci dhe Mirela Fana janë paneli i anëtarëve të Gjykatës së Lartë që kanë marrë në shqyrtim çështjen ?Prenga?. Dosja ?Prenga? ndodhet në Gjykatën e Lartë për shkak të mandatin të deputetit që mban Armando Prenga. Ashtu sikurse ndodhi edhe në dosjen ?Doshi? ku i përfshirë ishte dhe Durim Bami, edhe hetimet për Gjergj Calin pritet të zhvillohen në dosje të ndarë nga deputeti Prenga.
Deputeti Prenga për të cilin të enjten Kuvendi votoi unanimisht për t'i hequr imunitetin, akuzohet zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme për tre akuza, armëmbajtje pa leje, plagosje e rëndë me dashje dhe kanosje.
Më 5 shtator pak pas mesnate mbetën të plagosur 7 persona si pasojë e një përleshjeje mes dy fiseve para ambientit të komisariatit, konflikt i cili më herët kishte nisur në bizneset e dy familjeve në Luginën e Patokut.