Tjetër avion me drogë Shqipëri - Itali, 4 të arrestuar me 80 kg

2015-09-07 15

Pa kaluar as dy javë nga zbulimi i një grupi trafikantësh që transportonin drogë me avion nga Shqipëria drejt Italisë, një tjetër linjë e tillë trafiku është zbuluar këtë të hënë nga policia e shtetit fqinj, ku në pranga kanë rënë 4 persona nga të cilët 2 shqiptarë, ndërkohë që është sekuestruar sasia e kanabisit, 80 kilogramë. Avioni model ultraleggero është ulur mëngjesin e kësaj të hënë në aeroportin turistik të Gattinas komunë në afërsi të Torinos në Itali, ndërsa menjëherë kanë ndërhyrë forcat e rendit.

Të arrestuarit deri në këtë fazë të hetimeve rezultojnë të jenë 2 shqiptarët Maksim Llanaj 37 vjeç dhe Fitor Alliaj 43 vjeç si dhe dy italianët Pasquale Dambrossio, Rosario Camprisi.

Sipas mediave italiane banda kishte arritur të ideonte një mënyrë për të shmangur radarët duke e transportuar drogën me anë të avionëve të vegjël dhe super të lehtë. Anëtarët e bandës, sipas burimeve policore kanë përdorur skenarë të posaçëm për të evituar kontrollin në dogana e për të mundësuar kështu kalimin e lëndës narkotike krejt lehtësisht.

Ata kalonin nëpër aeroporte të vogla dhe fluturonin nga Shqipëria deri në Itali ku transportonin sasi të mëdha droge të fshehura në vende të ndryshme në avion. Trafikantët kishin krijuar hapësira në pjesë të ndryshme të avionëve, si në rastin e spostimit të sediljes së pilotit ndihmës, për të vendosur aty sasinë e drogës.

Hetimet konsiderohen të hapura për shkak të kontrolleve që po kryhen në zonë dhe kontakteve të zbuluara në telefonat celular të të ndaluarve. Sipas mediave italiane droga dhe avioni kanë ardhur nga Shqipëria, por ende nuk dihet nëse ky është një operacion i përbashkët italo-shqiptar.
- See more at: http://shqiptarja.com/home/1/tjet-r-avion-me-drog--shqip-ri----itali-4-t--arrestuar-me-80-kg-313714.html#sthash.w62IygbF.dpuf

Free Traffic Exchange