Tjetër avion me drogë Shqipëri - Itali, 4 të arrestuar me 80 kg

2015-09-07 25

Pa kaluar as dy javë nga zbulimi i një grupi trafikantësh që transportonin drogë me avion nga Shqipëria drejt Italisë, një tjetër linjë e tillë trafiku është zbuluar këtë të hënë nga policia e shtetit fqinj, ku në pranga kanë rënë 4 persona, ndërkohë që është sekuestruar sasia e kanabisit, 80 kilogramë.

Sipas mediave italiane banda kishte arritur të ideonte një mënyrë për të shmangur radarët duke e transportuar drogën me anë të avionëve të vegjël dhe super të lehtë. Anëtarët e bandës, sipas burimeve policore kanë përdorur skenarë të posaçëm për të evituar kontrollin në dogana e për të mundësuar kështu kalimin e lëndës narkotike krejt lehtësisht.

Ata kalonin nëpër aeroporte të vogla dhe fluturonin nga Shqipëria deri në Itali ku transportonin sasi të mëdha droge të fshehura në vende të ndryshme në avion. Baza mësohet se ishte aeroporti turistik i Gatiinara (Vercelli), në veri të Italisë afër Torinos. Trafikantët kishin krijuar hapësira në pjesë të ndryshme të avionëve, si në rastin e spostimit të sediljes së pilotit ndihmës, për të vendosur aty sasinë e drogës.

Gjatë operacionit të policisë janë sekuestruar rreth 80 kg drogë dhe 4 persona kanë përfunduar në pranga, por ende nuk janë bërë të ditur identitetet e tyre apo nëse mes tyre ka edhe shqiptarë.

Disa ditë më parë, më 26 gusht një grup trafikantësh që transportonte 120 kg marijuanë nga Shqipëria në Itali me avion u shkatërrua nga policia shqiptare në bashkëpunim me atë italiane. Në pranga përfunduan 14 persona, ku 8 prej tyre u arrestuan në Itali ndërsa 6 në Vlorë. Mes të arrestuarve ishin edhe kreu i bandës, Sokol Burhamaj, piloti i avionit të ulur në Brindisi, Vilson Lamaj dhe shefi i personelit të Policisë Vlorë, Vladimir Zanaj.

Organizata drejtohej nga tre vëllezër dhe pjesë e saj ishin pjesëtarët e një fisi të tërë.

Pas rastit të pilotit Italian Giorgio Riformato që u kap pasi u rrëzua në Divjakë me rreth gjysmë toni drogë në bordin e avionit Piper, dhe avionit të kapur ne fund të muajit gusht, ky i sotmi është rasti i dytë i zbulimit të trafikut të narkotikëve pas hetimeve të kryera nga policia dhe prokuroria shqiptare. - See more at: http://shqiptarja.com/home/1/tjet-r-avion-me-drog--shqip-ri----itali-4-t--arrestuar-me-80-kg-313714.html#sthash.K9ZY75eJ.dpuf

Free Traffic Exchange