GJIROKASTËR - Adil Aliko, 46-vjeçari nga Lazarati që negocioi për dorëzimin e dy djemve të tij të akuzuar për vrasjen e specialit të RENEA-s Ibrahim Basha, është vënë në pranga pas kallëzimit të ish-bashkëshortes së tij se e kish dhunuar. Aliko u arrestua mesditën e së enjtes nga policia kufitare e Kakavijës ndërsa kthehej nga Greqia. 46-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga policia për ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij me inicialet R.P më 28 gusht të këtij viti.
Burime nga policia e Gjirokastrës thanë për A1 Report se çifti ishin ndarë prej kohësh por jetonin në të njëjtën vilë, në kate të ndryshme të saj. Ishin pikërisht mosmarrëveshjet dhe sjelljet e dhunës nga ana e Adil Alikos që cuan në ndarjen e çiftit, thanë burimet për A1 Report. Ish-bashkëshortja e 46-vjecarit nga Lazarati bëri kallëzimin në polici në episodin e fundit të dhunës më gusht të këtij viti dhe menjëherë Gjykata e Gjirokastrës lëshoi urdhër ndalimin për Alikon i cili ish larguar në shtetin fqinj. Arrestimi i tij u bë sapo ai shkeli në tokën shqiptare më 3 shtator në pikën kufitare të Kakavijës.
Ndaj Adil Alikos rëndon akuza e ?dhunës në familje?, ndërsa për ish-bashkëshorten e tij gjykata ka lëshuar urdhër mbrojtjeje.
46-vjecari është babai i dy vëllezërve Alban dhe Arbjon Aliko të cilët u arrestuan në fund qershorin e këtij viti në Kardhiq, pasi akuzohen si autorë të vrasjes së efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha dhe plagosjes se dy kolegeve te tij në aksionin e policisë më 24 qershor në fshatin e Lazaratit.