A1 Report - Të shtunën kryesia e madhe e PD "Plani ynë i shpëtimit ose protesta"

2015-09-04 0

TIRANË - Lideri i opozitës Lulzim Basha thërret këtë të shtunë kryesinë e madhe të Partisë Demokratike. Mësohet se në fokus të diskutimeve të këtij organi të lartë do të jetë situata e vështirë ekonomike, hapat që do të hidhen për të ndaluar këtë gjendje dhe analiza për humbjen në zgjedhje.

Pritet të diskutohen dhe projektet që do të paraqesë selia blu në sesionin e ri parlamentar dhe hapat që do të ndiqet për aksionin e ri opozitar.

Demokratët e konsiderojnë të rëndë situatën ekonomike e për kapërcimin e së cilës parashikohet të hartohet një plan shpëtimi, siç e cilësojnë. Nëse oferta e demokratëve nuk pranohet, thonë burimet, atëherë rruga e vetme janë protestat.

Partia Demokratike ka gati draftet dhe për reformën në drejtësi, e cila është vlerësuar nga ndërkombëtarët si pika kyçe për hapjen e negociatave.

Ndërkaq në mbledhjet e kryesisë së grupit të PD që janë zhvilluar këto ditë është përcaktuar axhenda që Partia Demokratike do t?i propozojë Konferencës së Kryetarëve për kalendarin tre javor të punimeve të kuvendit.

Nga ana tjetër përveç përballjes me maxhorancën dhe problemeve që shfaqen në raport me qeverisjen, demokratët kanë një tjetër sfidë, atë me strukturat brenda partisë.

Ndërsa kryetari Basha në muajin korrik nisi një udhëzim për të nisur analizën e rezultatit zgjedhor të 21 qershorit, mësohet se strukturat në bazë kanë mbledhur të dhënat e rezultatit e kjo po diskutohet në kryesitë e degëve për tu përcjellë më pas në kryesinë e madhe.

Kjo mund të jetë një tjetër pikë e rendit të ditës e mbledhjes të kryesisë së madhe të PD ditën e shtunë.