TIRANË - Mëngjesi i kësaj të mërkure ka nisur ndryshe për kryeministrin Edi Rama, i cili ka zgjedhur të zbresë në terren dhe të bëjë një ?kontroll? në biznese për të parë se sa respektohet dhënia e kuponëve tatimorë. I shoqëruar nga Drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj dhe këshilltari për mediat Endri Fuga, kreu i qeverisë ka konsumuar një kafe në një nga lokalet e zonës së ish-bllokut në kryeqytet duke çelur në mënyrë simbolike aksionin kundër informalitetit.
Shefi i mazhorancës dha një prononcim për mediat teksa la lokalin ku tha se e kishte marrë kuponin tatimor dhe se të njejtin gjest "patriotik" siç Rama e cilesoi, duhet ta beje cdo qytetar.
Rama hodhi poshtë akuzat se ky operacion është goditje për biznesin e vogël duke sqaruar se duke marrë kuponin tatimor mbyllet shtegu për evazionin e të mëdhenjve. Kreu i qeverisë i bëri apel qytetarëve që të marrin kuponin tatimor në çdo rast, duke evidentuar faktin se nga konsumimi i 1 milionë kafeve në ditë humbasin 61 milionë dollarë.