A1 Report - Ish-shefi i antidrogës në Fier, Dritan Zagani arratiset nga vendi

2015-09-04 1

Ish-shefi i antidrogës në Policinë e Fierit , Dritan Zagani, i cili po gjykohet për trafik drogë është arratisur nga Shqipëria. Ky fakt konfirmohet për A1 Report nga burime pranë Policisë së Shtetit.

Më herët gjykata ka caktuar ndaj Zaganit masën e sigurisë ?Arrest shtëpie?, ndërsa sot ai kishte seancën e radhës.

Por në seance që u zhvillua në Gjykatën e Fierit është paraqitur vetëm avokati i tij, e pas kësaj policët kanë shkuar banesën e ish-kolegut të tyre në Fier.

Nga kontrollet në banesë ka rezultuar se, Zagani nuk ndodhej aty e pas kësaj është bërë shpallja në kërkim e tij.

Burime pranë policisë bëjnë me dije për A1 Report se, ka dyshime të forta që Zagani të jetë arratisur jashtë Shqipërisë.

Fillimisht me ish-policin u mor Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku ndaj tij rëndon akuzat e ?shpërdorimit të detyrës? dhe ajo e ?trafikimit të lëndëve narkotike? ndërsa më pas çështja i kaloi Prokurorisë së Fierit.

Dritan Zagani u arrestua në maj të 2014 pasi rezultoi se ishte bashkëpunëtor i një grupi të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Zagani informonte trafikantët për lëvizjet e policisë se shtetit, ndërsa në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në kohë dhe vende të ndryshme 13 persona.