A1 Report - Zbulimi i kapos së laboratorit të kokainës,Prokuroria kërkon kohë

2015-09-04 3

TIRANË - Pas 6 muaj hetime prokuroria e krimeve të rënda ende nuk ka mundur të zbulojë kapon e laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit të zbuluar në janar të këtij viti.

Ndërkohë burime nga grupi hetimor bënë me dije se dy kolumbianët e prangosur në operacionin e përbashkët Gjermano-Shqiptar insistojnë se në Shqipëri kanë ardhur si futbollist.

E për këto arsye akuza i është drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda duke kërkuar zgjatje të hetimeve dhe me 3 muaj të tjerë.

Burime nga grupi hetimor sqaruan se në këtë fazë ku ndodhen hetimet do të kryen verifikimet pasurore të grupit të përfshirë në trafik si dhe zbulimi i linjës së mbërritjes së kokainës në Shqipëri.

Laboratori në të cilin përpunohej kokaina u zbulua më 14 janar të këtij viti ndërsa në prangat e policisë ranë Ermal Hoxha, Kelmend Dalipi, Arjan Dalipi, Saimir Batku, Kastriot Imeri, Gentjan Gjonaj, Cezar Avila, Walther Moreno dhe Ilir Hyseni.

Aktualisht personat e arrestuar ndodhen nën masën e sigurisë arrest me burg, mes tyre dhe Ermal Hoxha për të cilin Gjykata e Lartë i refuzoi lirinë.