Kush nuk paguan gjobat e vendosura nga Policia Rrugore për shkelje të ndryshme administrative rrezikon të mbetet në këmbë. Kjo pasi Policia Rrugore ka paralajmëruar se do të nisë bllokimin e mjeteve të ndëshkuara me gjobë për shkelje të ndryshme rrugore.
Policia paralajmëroi se bllokimet do të nisin prej datës 1 shtator, ndërsa mjetet do të zhbllokohen vetëm pasi të jenë shlyer detyrimet. Sipas burimeve të policisë do të bllokohen mjetet që janë ndëshkuar qoftë edhe me një gjobë së cilës i ka kaluar afati prej 30 ditësh.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga policia e kryeqytetit nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ndërsa ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të nisin të paguajnë detyrimet. Gjithashtu policia paralajmëroi se për rastet kur brenda 3 muajve nuk shlyen detyrimet, dhe mjeti nuk tërhiqet nga pronari, mjeti do të konfiskohet.
Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore kërkuan mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të mjeteve që të verifikojnë targat e mjeteve dhe të likuidojnë gjobat sipas afatit të parashikuara.