Pas ngjarjes së djeshme të arrestimit të 14 shqiptarëve të përfshirë në shitjen e drogës, e cila transportohej me avionë të vegjël drejt Italisë, A1 report ka shkuar në fshatin Dusharak në kufirin mes Vlorës dhe Tepelenës. Për kamerën tonë banorët tregojnë se kanë parë avionë të vegjël të uleshin në rrugë, por edhe në pistën e improvizuar në tokat e mbjella.
Për të arritur në fshatin Xhelilaj në afërsi të Sevasterit të Vlorës, me makinë jo me avion duhen 4 orë të mira. Nga autostrada Fier-Vlorë për të parë pistën e improvizuar të avionëve që ngarkoheshin me drogë drejt Italisë është i pashmangshëm rrugëtimi në një copë tokë që vetëm rrugë nuk mund të quhet.
Megjithatë në fshat gjithçka është ndryshe. Rruga është e asfaltuar ndërsa përreth saj qëndrojnë disa pllaja ku mendohet se avioni i vëllezërve Lamaj ulej qetësisht e ngarkohej me drogë. Larg syve larg botës në këtë cep të të harruar në kufirin mes Vlorës dhe Tepelenës.
Avioni sipas banorëve por edhe policisë në kohë të ndryshme ka përdorur dy pista të ndryshme. Në rrugën e fundit me 120 kile kanabis sativa avioni është ulur në rrugën e asfaltuar të fshatit Xhelilaj.