Kryeministri, Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Facebook dhe Twitter i është përgjigjur dhe interesit mbi incidentin e ndodhur me Kishën në Dhërmi, që solli dhe reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Sa u takon pretendimeve të Kishës Ortodokse, Kryeministri u shpreh se "ata po vënë kujën për një ngrehinë si garazh, të cilën e quajnë kishë", duke iu referuar një ndërtimi të bërë në vitin 1992. Rama tha se ata janë të shqetësuar se "pse Qeveria e tij po rikthen në jetë trashëgiminë".
Po krijohet një situatë e pakëndshme lidhur me ngjarjen e Kishës së Dhërmiut, cili është qëndrimi juaj?
Rama: Është të qeshësh e të qash që një ngrehinë si garazh e quajnë kishë dhe vënë kujën pse po rikthejmë në jetë trashëgiminë tonë!
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje këshilltari i kryeministrit, arkitekti Artan Shkreli në një prononcim për A1 Report ka akuzuar direkt segmente të Athinës zyrtare dhe klerit grek për ndërhyrjen arkitekturore të kishës Shën Thanasi në Dhërmi. Me ndërtimin mbi varrin e misionarit katolik Nilo Katalano, Greqia synon të fshijë historinë dhe të vërtetën, deklaron Shkreli.
Në Kishën e Shën Thanasit në Dhërmi, në vitin 1694 aty është varrosur Nil Katalanin (italisht : Nilo Catalano). Nil Katalani ka qenë italian, i lindur më 1637-n në fshatin e Sicilisë, të quajtur Terra Di Massa. Në moshën 22- vjeçare veshi petkun e murgut bazilian në manastirin e famshëm të Grotaferrates afër Romës. Ai u varros në kishën e Shën Thanasit brenda Sancta Sanctorum.