A1 Report - Pamjet e aksionit antikanabis në Dukagjin

2015-08-22 9

DUKAGJIN- 450 forca policie me rreth 70 automjete dhe helikopterë kanë mësyrë zonën malore të Dukagjinit në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni i koduar ?Brashta? po ndiqet nga afër nga drejtori i policisë së shtetit, Haki Cako, dhe zv/drejtori Altin Qato.

Mësohet se operacioni është përqendruar në zonën e Shoshit, konkretisht në pyjet e fshatrave Brashtë, Ndreaj, Pylaj, Bob Vuksanaj dhe Breg Lumi.

Në ndihmë të efektivëve të FNSH-së Shkodrës kanë shkuar edhe homologët e tyre nga Tirana, dhe efketivë të RENEA-s ndërsa deri më tani nuk kanë hasur ne rezistencën e kultivuesve të kanabisit.

Sipas policisë së shtetit deri tani janë asgjësuar 65 parcela me rreth 6.675 bime narkotike.

Njëkohësisht grupet hetimore po vijojnë punën për sekuestrimin e çdo prove materiale ne parcela me qellim dokumentimin me prova ligjore për të bërë të mundur evidentimin dhe kapjen e autoreve.

Drejtori i policisë Haki Çako ka pohuar se aksioni do të vijojë në të gjithë territorin e Dukagjinit.


Zona e Dukagjinit është ndër më problematiket sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, teksa prej kohësh forcat e policisë evidentojnë dhe asgjësojnë parcela me sasi të konsiderueshme të bimës narkotike Canabis sativa.

Terreni i thyer dhe malor e vështirëson punën e forcave të rendit.

Një vit më parë në këtë zonë një helikopter i forcave të policisë u qëllua me armë zjarri tip automatik gjatë kohës që po patrullonte në kuadër të aksioneve antikanabis.

Ky është operacioni i dytë i madh kundër kultivimit të kanabisit që zhvillohet në zonën e Dukagjinit. Në operacioni që nisi në të njëjtën periudhë një vit më parë u qëllua ndaj helikopterit të ushtrisë të cilin policia e kishte marrë nën përdorim.

Mbi 100.000 rrënjë kanabis u asgjësuan vitin e kaluar gjatë operacionit që zgjati për disa ditë në zonën veriore të Shqipërisë, e cila është konsideruar në 2014-ën si zona e dytë pas Lazaratit për kultivimin e kanabisit.