TIRANË - Shëngjergji do shndërrohet në një destinacion tërheqës turistik për të gjithë turistët e apasionuar pas natyrës, sporteve ekstreme apo produkteve vendase bujqësore.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte në Shëngjergj ku prezantoi administratorin e kësaj njësie, Shpëtim Sina, ku edhe u shpreh optimist se në fund të mandatit kjo zonë do ketë një emër të sajin në hartën e vendeve që duhen vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.
?Deri në fund të këtij mandati, Shëngjergji do të ketë një emër që nuk e ka pasur deri më sot dhe besoj se do kthehet në një destinacion të lakmueshëm për turistët dhe banorët e Tiranës që parapëlqejnë ajrin e pastër, jetesën sa më pranë natyrës, në periferi, ku jetohet shëndetshëm në një ambient fantastik, siç e ka Shëngjergji?, u shpreh Veliaj në fjalën e tij gjatë prezantimit të administratorit Sina.
Për të arritur këtë objektiv, ai kërkoi nga drejtuesit e njësisë administrative dhe strukturat e bashkisë që të hartojnë një listë të zhvillimeve dhe datave të caktuara, që mund të kthehen në evente apo ditë që duhet të promovohen për organizime të ndryshme, si një mënyrë për të reklamuar asetet natyrore dhe bujqësore të zonës e për të nxitur turizmin.
?Dua që të kemi një kalendar të posaçëm që ta zhvillojmë në ditët në vijim në të mirë të zonës. Në tetor do të organizojmë garat me makinat rally dhe duam që për turistët e huaj që do të vijnë, kjo të shërbejë për promovimin e Malësisë së Tiranës, përfshi edhe zonën e Shëngjergjit?, - u shpreh Veliaj.
Një tjetër synim i kryetarit të Bashkisë mbetet edhe turizmi që mund të organizohet me anë të promovimit të produkteve origjinale tipike të zonës.
?Duam që të organizojmë disa festa dhe aktivitete tipike të Shëngjergjit, siç është ajo për domaten e vonë, karakteristikë e zonës. Këto janë mënyra për të mbledhur njerëzit bashkë, janë mundësi se si ne mund të promovojmë turizmin dhe besoj që secili prej këtyre ngjarjeve do të shërbejë si një pretekst për të sjellë sa më shumë njerëz nga Tirana, për ta njohur zonën e më pas për ta promovuar atë?, - tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë garantoi se administrata që ai drejton do jetë në mbështetje të plotë të çdo nisme që ka për qëllim zhvillimin e zonës. ?Bashkia do të investohet shumë për të pasur një kalendar aktivitetesh, në mënyrë që Shëngjergjin ta promovojmë si një aset të jashtëzakonshëm turistik për Tiranën. Sepse Shëngjergji është ?bahçja? malore e Tiranës?, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës ka shfrytëzuar edhe një herë rastin që nga Shëngjergji t?i bëjë thirrje çdo qytetari të përgjegjshëm që të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës së çerdheve të Tiranës, në mënyrë që ato të jenë gati për të pritur fëmijët në sezonin e ri në shtator.